Për Chrissy Brand, një gazetare e pavarur dhe entuziaste shumëvjeçare e radios nga Mbretëria e Bashkuar, udhëtimi drejt Bullgarisë nuk fillon me një telefonatë në një agjenci turistike apo me një biletë të një kompanie ajrore me kosto të ulët. Fillimi vjen disa dekada më parë, në një dhomë të qetë, të rrethuar nga zhurma e një radioje të vjetër dhe me zërat e panjohur që vinin përmes valëve radiofonike nga vende të afërta dhe të largëta. Një nga këto vende ishte Bullgaria.
Chrissy Brand prej vitesh ëndërron të vizitojë vendin për të cilin di aq shumë nga transmetimet me valë të shkurtra dhe më vonë nga podcastet online të Radio Bullgarisë, programi ndërkombëtar i Radios Kombëtare Bullgare, që funksionon që nga viti i largët 1936.
Ne takohemi me Chrissy Brand në ndërtesën e BNR-së në zemër të Sofjes, ku ajo ishte mysafirja jonë për të na treguar se si dashuria e saj për transmetimin ndërkombëtar të radios e ka frymëzuar të udhëtojë nëpër botë dhe të krijojë miqësi të reja.
Për të, interesi për radion ka nisur që në fëmijëri:
“Kur isha fëmijë, kishte një program në BBC që quhej ‘Dëgjo me mamin’, unë dhe nëna ime e dëgjonim, isha shumë e vogël. Më vonë shkoja shpesh në shtëpinë e gjyshërve të mi, të cilët kishin ato radiot e mëdha të vjetra – mezi arrija të prekja butonat, por isha e magjepsur nga dritat e tyre të bukura jeshile. I rrotulloja butonat dhe lexoja emrat e çuditshëm të qyteteve dhe shteteve. Kjo më dukej më interesante sesa të dëgjoja stacionet e zakonshme të radios si programet e BBC-së. Ndihesha si pjesë e një klubi për të cilin pak njerëz kishin dëgjuar.”
Nga Sofja në Mbretërinë e Bashkuar – një lidhje që filloi në vitet ’70.
FOTO: личен архив на Криси Бранд
Në mesin e viteve ’70, Chrissy rastësisht kap edhe frekuencën e Radio Sofjes, siç quhej atëherë Radio Bullgaria:
“Për herë të parë dëgjova Radio Bullgarinë në vitet ’70, ndoshta ishte viti 1976. Atëherë bleva radion time, sepse kuptova që mund të dëgjoje shumë vende që transmetonin në gjuhën angleze dhe në gjuhë të tjera. Fillova të dëgjoja Radio Suedinë, Radio Pragën dhe Radio Holandën, dhe më pas zbulova edhe Radio Sofjen. Ishte vërtet emocionuese. Atëherë mund të lidheshe me stacionin dhe të merrje një kartolinë QSL – kështu krijoje një lidhje dhe miqësi. Ndjesia ishte sikur bëheshe pjesë e diçkaje shumë të veçantë.”
Në sfondin e peizazhit mediatik jashtëzakonisht konkurrues të ditëve të sotme, me shumë platforma online, Chrissy vlerëson veçanërisht radiostacionet kombëtare dhe zërin unik të Radio Bullgarisë, sidomos për dëgjuesit që kërkojnë një thellësi të vërtetë kulturore.
“Gjithmonë kam qenë besnike ndaj radiostacioneve ndërkombëtare, sepse më pëlqen ai ndjenj i miqësisë dhe kulturës ndërkombëtare. Përmbajtja e tyre është gjithashtu në një nivel më të lartë krahasuar me shumicën e radiove të muzikës pop dhe lajmeve. Prandaj vazhdoj të dëgjoj rregullisht Radio Pragën, Radio Suedinë dhe Radio Bullgarinë. Ndonjëherë dëgjoj edhe Radio Sllovakinë dhe Radio Tajlandën. Kam pasur fatin të vizitoj Bangkokun disa vite më parë dhe njerëzit atje janë po ashtu shumë miqësorë. Është e mrekullueshme kur dëgjon këto stacione radio dhe më pas krijon miqësi me njerëzit në vend.”
Çfarë gjen Chrissy te “Bullgaria Sot” – programi në anglisht i Radio Bullgarisë, që dëgjuesit tanë mund ta ndjekin në faqen tonë?
“Me interes dëgjoj lajmet, sidomos ato vendase, kombëtare, që rrallë mund t’i dëgjosh në vende të tjera. Por më pëlqen edhe zëri i njerëzve të zakonshëm – qytetarëve që jetojnë në vend, si ndihen, çfarë pune bëjnë, si e kalojnë kohën e lirë. Kështu krijoj një ide se si do të ishte nëse do të jetoja unë vetë në këtë vend. Gjithashtu, muzika është e mrekullueshme. Mendoj se është e rëndësishme që të transmetohet si muzika popullore, ashtu edhe ajo moderne – gjithçka e re që ndodh në skenën muzikore sot. Radio Bullgaria është një mënyrë shumë e mirë për ta përhapur këtë muzikë.”
Zërat e muzikës bullgare e kishin magjepsur Chrissy që në fëmijëri, dhe tani, ndërsa ndodhet në Sofje, ajo me gëzim zbulon në dhomën e saj të hotelit një program televiziv të dedikuar folklorit bullgar.
FOTO: личен архив на Криси Бранд
Aktualisht, Chrissy është autore e një rubrike mujore në revistën amerikane për radiotransmetim “Spectrum Monitor”, si dhe redaktore e revistës së komunikimeve të Klubit Britanik DX. Prej vitesh ajo është pjesë e këtij grupi entuziastësh të radios, të përkushtuar ndaj një “hobi romantik” që tregon rëndësinë e transmetimeve kombëtare radiofonike.
Shekuj historie në Sofje
Dekada pas takimeve të saj të para me tingujt e Bullgarisë, Chrissy më në fund mbërrin këtu, duke zgjedhur qëllimisht të mos udhëtojë me avion, por të përshkojë gjithë Evropën, metër pas metri, me tren dhe autobus — për të thithur pamjet dhe aromat e kontinentit nga afër.
FOTO: личен архив на Криси Бранд
“Është e mrekullueshme! Kur mbërrin në një vend të ri, në fillim gjithmonë ndihesh paksa i hutuar, sidomos kur nuk e njeh gjuhën – dhe njohuritë e mia në cirilik janë shumë bazike. Por këtu është vërtet bukur – bulevarde të gjera, shumë ndërtesa historike. Më pëlqen shumë arkitektura dhe shtresat e ndryshme kulturore. Është vërtet mahnitëse sa shumë mbetje të ruajtura ka nga qyteti i lashtë romak Serdika, i cili është gërmuar dhe studiuar. Zbret poshtë, nën rrënoja, ngre sytë lart dhe sheh shekuj historie. Ndjesia është e veçantë.”
Programi i ditëve të mbetura të udhëtimit të Chrissy në Bullgari përfshin një sërë vendesh, emra që ajo i kishte parë më parë në kartolinat QSL ose i kishte dëgjuar në transmetimet e Radio Bullgarisë, si Manastiri i Rillës, Plovdivi, Burgasi dhe Bregdeti i Detit të Zi.
Në pritje të së ardhmes: 90 vite - Radio Bullgaria
Ndërsa Radio Bullgaria po përgatitet të shënojë 90-vjetorin e saj në vitin 2026, vizita e Chrissy tek ne është një dëshmi e vendit të saj në botën globale të medias sot.
Urimi i saj për ne është njëkohësisht sfidë dhe inkurajim:
“I uroj Radio Bullgarisë shumë vite të lumtura, shumë vite të suksesshme dhe mundësi për të zgjeruar audiencën tek brezat e rinj, në mënyrë që gjithnjë e më shumë njerëz në botë të mësojnë për transmetimet tuaja, të njohin më shumë për vendin dhe të dëshirojnë ta vizitojnë atë!”
Mund të dëgjoni tërë intervistën me Chrissy Brand në anglisht KËTU: Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Rosica Petkova, arkiva personale e Chrissy Brand, arkiva e BNR-së